Mjeku Alimehmeti: Duamenës nuk iu dha ndihma e parë, nuk pashë shenjë defibrilatori

Mjeku Ilir Alimehmeti, duke komentuar vdekjen e futbollistit të Egnatias, Rafael Duamena, u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” se në këtë rast janë hequr të gjitha shanset që personit t’i jepet ndihma dhe ai t’i mbijetojë.

“Futbolli është sport agonist, sepse futbollisti shkon deri afër agonisë, për të dhënë performancën e tij maksimale. Ai ishte i njohur për problemet kardiake, por donte të luante, por këtu janë organet e tjera. Është i lëvduar besimi i tij në Zot, qoftë i xhenetit, por Zotit i lënë shumë gjëra në dorë, kur ne kemi tonat. Bie tërmet, në themi: mbaj dorën, o Zot. Por nuk bëhen ndërtime më të mira, me kontrolle. S’ka ilaçe për kalamajt, ne themi: Do Zoti ta bëjë mirë. Por nuk prokurohen ilaçet atje në fund. Bie një lojtar në fushë, unë e pashë me kujdes. Vjen një ambulancë, askush nuk e prek me dorë dhe nuk është i trajnuar për të dhënë ndihmën e parë.Ai defribilatori në botë, po synohet të futet në supermarkete që ta ketë popullata, jo vetëm mjekët. Vjen ambulanca dhe unë nuk shoh asnjë shenjë defibrilatori që t’i jepet një ndihmë e parë. Themi, o Zot, o Zot, t’i bëhet mirë. Ku e ka spitalin? Në Kavajë, 18 kilometra të tjera. Sa do të jetojë ai? Këtu janë hequr të gjitha shanset e mundshme që një personi t’i jepet ndihma e parë dhe ky njeri të mbijetojë, që nga parandalimi parësor që nuk ka ekzistuar, dytësori në stërvitje dhe tretësori, urgjenca, spitali.Ju thatë se njerëzit fshihen, por prokuroria ka për detyrë t’i gjejë se kush janë që këto të mos ndodhin më.

Në fund fare garant këtu është shteti. Ky bën që gjërat të funksionojnë dhe të gjejë personat që nuk i lejojnë. Ne e kemi në dorë, nuk e ka në dorë Zoti”-u shpreh mjeku Alimehmeti.


Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *